Ulrike Lunacek, eurodeputetja e gjelbër dhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian, njëkohësisht raportuesja për Kosovën në PE, ka komentuar qeverinë e sapozgjedhur, duke i bërë apel Kryeministrit të ri Ramush Haradinaj që të merret menjëherë me çështjet më urgjente. 

Sipas Lunacek, ndër prioritetet e qeverisë duhet të jetë dhe kriza ekonomike që ka pushtuar vendin, si dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Ajo ka vënë theksin dhe tek forcimi i institucioneve shtetërore, si dhe të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke i cilësuar si disa nga detyrimet kryesore që Kosova të përfitojë liberalizimin e vizave.

Duke iu drejtuar kryeministrit të sapozgjedhur Haradinaj ajo ka kërkuar që të ratifikohet sa më shpejt në parlament marrëveshja për demarkacionin me Malin e ZI.

Rreth marrëdhënieve me Serbinë, Lunacek vlerëson se fakti që Lista Serbe ka votuar për ish-Udhëheqësin e UÇK-së Ramush Haradinaj si Kryeministër është një sinjal pozitiv për vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë./Abc News