Ministrat e financave të Eurozonës arritën marrëveshjen për zhbllokimin e një kredie prej 10.3 miliardë eurosh për Greqinë, si edhe lehtësimin e borxhit grek duke zgjatur periudhën e shlyerjes dhe ulur normën e interesit.

Një fond i tillë ishte i nevojshëm për vendin, për pagesën e një kësti prej 2.2 miliardë eurosh të caktuar në muajin korrik, dhe për rimbursimin e pagesave të papaguara. Pjesa e parë dhe kryesore e kredisë, prej 7.5 miliardë, do t’i lëvrohet vendit helen që në muajin qershor. Ujdia mes vendeve të unionit monetar pas më shumë se 11 orë bisedimesh, u cilësua si një hap shumë i rëndësishëm.

“Kemi arritur një marrëveshje që as nuk do ta ëndërroja një muaj më parë”, tha presidenti i eurogrupit, njëherësh edhe ministri holandez i financave, Zheroen Disellbllum.

Ndërsa kreu i financave greke Euklid Cakalotos, u shpreh shumë i gëzuar dhe tha se, “është një moment vendimtar për Greqinë”. Ujdia për lehtësimin e borxhit grek kishte vënë prej kohësh në kundërshtim FMN me vendet e eurozonës.

Këto të fundit, veçanërisht Gjermania ishte kundër zbutjes së kushteve ndaj Athinës. Shuma që Greqia u detyrohet kreditorëve ndërkombëtarë i kalon 300 miliardë eurot, apo rreth 180% i Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Plani i ndihmës, i treti për vendin që prej 2010, vjen 2 ditë pas miratimit në parlamentin grek të paketës së re ligjore për uljen e shpenzimeve publike dhe rritjen e taksave. Një masë e kërkuar nga kreditorët ndërkombëtarë, e cila u shoqërua nga protesta në sheshet e kryeqytetit grek. /TV KLAN