Kryeministri i vendit, Edi Rama thotë se nuk ka lumë me shifra që e tund evazionin fiskal që ka bërë strehë në Prokurorinë e Tiranës. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen me grupin e PS-së dhe me ministrat, kryeministri Rama shprehet se është i domosdoshëm zgjerimi i fuqisë së drejtësisë përtej ishullit të SPAK-ut.

Edi Rama: SPAK dhe Prokuroria e Tiranës janë në një distancë fizike më pak se 1 kilometër. Në SPAK kërkohet llogari edhe për një punonjëse të thjeshtë për një procedurë tenderi, në Prokurorinë e Tiranës mbrohet evazioni fiskal. Janë 80 raste, tani e kam humbur dhe numërimin që flenë prej vitesh në Prokurorinë e Tiranës për evazion fiskal. Ndër ato raste ka edhe nga ata që ndryshe quhen oligarkë. Bëhet fjalë për qindra-miliona Euro të shmangura nga detyrimet tatimore, më pak se një kilometër, tjetër drejtësi atje e tjetër atje dhe nuk ka force, nuk ka mal me dosje, nuk ka lumë me shifra që e tund evazionin fiskal që e ka bërë strehë Prokurorinë e Tiranës. Thonë gojët e liga që për çdo dosje ka rentë, por unë nuk merrem me thashetheme.

Nëse sot ne nuk e bëjmë këtë luftë duke marrë të gjitha kostot, kjo mbetet një barrë për brezin tjetër dhe Shqipëria mbetet tek dera e BE-së siç ka mbetur ndonjë vend tjetër. Pra, të gjithë “Ne” duhet të jemi të vetëdijshëm që nëse kjo dallga nëse nuk pasohet nga të tjera dallgë, ajo thyhet dhe thyhet PS-ja dhe një shpresë e cila do të dojë shumë kohë të rilindë. Unë bashkë me ju, PS, të punojmë që drita e hapur në fund të tunelit të pandëshkueshmërisë të zgjerohet përtej ishullit të SPAK dhe Gjykatës Speciale.

Rasti i evazorërve që kanë marrë strehim në Prokurorinë e Tiranës është ulëritës, por jo i vetmi. Para pak ditësh pamë një rast të një dhënie të një prone shtetërore mijëra hektarëshe të destinuar për zhvillimin energjetik të vendit, një subjekti privat pa letra, vetëm me dëshmitarë. Zgjerimi i fuqisë së drejtësisë përtej ishullit të SPAK, i domosdoshëm. Prokuroritë dhe gjykata e pashkëputura nga tuneli i së shkuarës është pikërisht shtetbërja demokratike e Shqipërisë përmes reformave dhe sundimit të ligjit.

As korrupsioni në Shqipëri nuk është i mundur dhe as forca jonë qeverisëse nuk ka imunitet ndaj korrupsionit. Asnjëherë më parë nuk është luftuar si në vitet e fundit. Qeveria dhe institucionet nuk e luftojnë korrupsionin me denoncimet në prokurori. Korrupsioni duhet të përballet me filtra transparente për të cilat kemi bërë progres në këto vite. Fuqia e korrupsionit ka rënë në mënyrë domethënëse. Vitin e shkuar 13,2 shërbime përmes e-albania. Janë shmangur 13.2 milionë qëndrime në radhë e kontakte fizike me punonjësit e shtetit që deri dje ishin infektive me korrupsionin. Jam i vetëdijshëm se pa përfunduar të gjithë ciklin e Kadastrës në celular, këtij progresi i mungon arritja më e madhe. E di çfarë duhet të bëjmë akoma për Shqipërinë e 2030-ës./tvklan.al