Legjenda e futbollit botëror, Fabio Cannavaro është i zgjedhuri special i Federatës Shqiptare të Futbollit në kuadër të kursit UEFA Pro. Kampioni i Botës dhe mbrojtësi që fitoi Topin e Artë në vitin 2006 do të jetë prezent në Tiranë te enjten e 18 prillit. Italiani do të vizitojë “Shtëpinë e Futbollit” për të mbajtur një leksion të hapur për të gjithë pjesëmarrësit e kursit UEFA PRO dhe jo vetëm, me temë “Nga futbollist në trajner, nga sukseset në fushë në kampionatet e fituara në pankinë”.

Fabio Cannavaro ka një karrierë mbresëlënëse si futbollist me ekipe të nivelit të lartë si: Napoli, Parma, Inter, Juventus, Real Madrid ku fitoi tituj të rëndësishëm. Karriera e tij kulmoi në Kupën e Botës 2006 në Gjermani, ku u shpall kampion me Kombëtaren italiane, ndërkohë që po atë vit mori edhe çmimin si futbollisti më i mirë në botë, pasi fitoi Topin e Artë. 

Fabio Cannavaro e mbylli me futbollin e luajtur në vitin 2011 në klubin Al-Ahli, ku dy vite më vonë po me klubin nga  Emiratet e Bashkuara Arabe filloi karrierën si zëvendëstrajner. Ndërkohë që ka qëndruar për një kohë të shkurtër edhe në krye të Kombëtares kineze të futbollit.

Në karrierën e tij si trajner, Fabio Cannavaro ka fituar disa tituj të rëndësishëm.  Në vitin 2017 ai fitoi edhe çmimin si trajner i vitit në Kinë i akorduar nga Federata Kineze e Futbollit. Në muajin nëntor të vitit 2017,  Cannavaro u rikthye sërish në drejtimin e skuadrës kineze Guangzhou FC, ku në dhjetor të vitit 2019 fitoi titullin kampion. Një leksion për kursantët e UEFA PRO do të mbajë Francesco Troise, i cili në karrierën e tij ka punuar me Fabio Cannavaron.

Klan News