Nga një sulm terrorist si ky i 22 Marsit në Rusi rrezikohen edhe Shtetet e Bashkuara. Paralajmërimin e bëri drejtori i FBI-së, Kristofer Rei përpara përfaqësuesve të Komisionit të Dhomës së Ulët të Kongresit që merret me ndarjen e fondeve për agjencitë federale.

“Kemi një shqetësim në rritje për mundësinë e një sulmi të koordinuar në vendin tonë, të ngjashëm me atë që ISIS kreu në një sallë koncertesh në Rusi, disa javë më parë.”

Rei tha se rreziku vjen nga grupe ekstremistësh të frymëzuar nga lufta izraelite në Gaza, të cilët i shohin aktet e terrorit në Shtetet e Bashkuara si mundësi për t’u hakmarrë ndaj Izraelit, aleat të amerikanëve. Ndaj dhe shefi i zyrës federale hetimore kërkoi shtim të fondeve për të rritur aftësitë gjurmuese të agjencisë që ai drejton, përballë kërcënimeve terroriste.

Zbulimi amerikan ishte i saktë në parashikimin e sulmit terrorist në afërsi të Moskës. Por paralajmërimi i tyre ra në vesh të shurdhët, pasi autoritetet ruse nuk e morën parasysh për shkak të armiqësive në rritje mes dy fuqive botërore prej luftës në Ukrainë.

Tv Klan