Atalanta do të kërkojë që t’i shkaktojë Bajer Leverkusenit humbjen e parë pas 51 takimesh, me të dyja ekipet që do të përballen në Dublin në finalen e Ligës së Europës. Trajneri Xhan Piero Gasperini tha se është gati që të përballet në finalen e parë europiane të bergamaskëve.

“Mund të jemi veçse të lumtur me rrugëtimin dhe shpresojmë që ta mbyllim në mënyrën më të mirë. Kemi ndjesinë se shumë në Itali do të bëjnë tifo për ne, jo vetëm për interesa të tyre, por edhe sepse ne përfaqësojmë vendin. Ne e ndiejmë këtë ngarkesë pas vetes, është një motivim shtesë. Kemi besim, se edhe Roma iu afrua kalimit të turit. Ishin dy ndeshje të ekuilibruara, ku ata bënë mirë.”

Te bergamaskët nuk ndihet presion, pavarësiht finales së kompeticionit. Bajer Leverkusen është një rival i fortë që kërkon në këtë sezon të bëjë historinë. Pas fitores së Bundesligës, synimi i ekipit të Shabi Alonsos është që të ngrejë edhe trofetë e Ligës së Europës dhe Kupës së Gjermanisë.

Leverkusen ka fituar në vitin 1988 një titull europian, UEFA Cup. Gjermanët kanë shënuar 135 gola në të gjitha kompeticionet, ndërsa kanë pësuar vetëm 39. Ndërsa Atalanta nuk ka fituar një trofe që nga viti 1963. Bergamaskët u mundën në finalen e Kupës së Italisë nga Juventus më 15 maj.

Klan News