NishaniNuk do t’ja mbyllin gojën, përpjekja është e dukshme thotë Presidenti i Republikës kur pyetet mbi përshtypjet që i kanë lënë komentet në “Twitter” të Kryeministrit pas rikthimit prej tij të disa ligjeve të rëndësishme në Kuvend, komente që paralajmërojnë rrëzimin e dekreteve ndonëse Kuvendi që ka këtë kompetencë është pushim.

Bujar Nishani, Presidenti i Republikës: “Çfarë kërkohet? Kërkohet që Presidenti të mos flasë? Kërkohet që zyra e Presidentit të Republikës të bëhet e paqenë? Kompetencat po hiqen nga dita në ditë. Kompetenca të tjera po ngrihen dhe nuk po lejohen të zbatohen. Atëherë ta ndalojmë Presidentin të flasë përmes dekretit dhe ta ç’bëjmë fare zyrën e institucionit të Presidentit të Republikës. Unë e kam shprehur dhe herë të tjera, jam i vendosur padiskutim të qendroj në korrektesë të plotë të hapsirës që i takon Presidentit të Republikës, Kryetarit të Shtetit, detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese të Presidentit të Republikës, pavarësisht nga pëlqyeshmëria apo papëlqyeshmëria politike e institucioneve apo aktorëve të tjerë ndaj akteve të Presidentit të Republikës. Pra, nuk ka asgjë politike, nuk ka asnjë lloj sulmi, as ka pasur dhe as nuk do të ketë ndonjë inicim të ndonjë sulmi politik, se nuk ka arsye dhe nuk ka objektiva të tilla Presidenti i Republikës, por do të ketë në vijimësi qëndrim të hapur, transparent, publik, të argumentuar, të logjikshëm dhe të mbështetur pikërisht në legjislacionin dhe Kushtetutën e vendit për sa kohë Presidenti konstaton se për shkak të detyrës së tij duhet të angazhohet në paralajmërimet dhe ndalimet me aq sa është e mundur nga Presidenti i Republikës, të mos respektimit të Kushtetutës së vendit”.

Përgjatë intervistës Kreu i Shtetit sjell në vëmendje edhe njëherë qasjen antikushtetuese të veprimeve ligjore për Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo Shkollën e Magjistraturës.

Bujar Nishani, Presidenti i Republikës: “Çfarë bëhet me ndryshimet aktuale? Hiqet nga bordi i Shkollës së Magjistraturës përfaqësuesit i Prokurorisë, hiqet nga bordi i Shkollës së Magjistraturës përfaqësuesit i Gjyqësorit, hiqet përfaqësuesi i KLD-së dhe këto shtohen për përfaqësues të qeverisë. Kjo është pavarësia e Gjyqësorit? Aspak, jo. Çfarë bëhet me rastin e ligjit të KLD-së? Presidentit të Republikës në Kushtetutë i njihet e drejta e emërimit të nënkryetarit të KLD-së, nga një prej anëtarëve të KLD-së. Jo, thotë mazhoranca, ti duhet ta zgjedhësh vetëm nga tre anëtarët e KLD-së që emërohen nga Parlamenti, pra nga mazhoranca. Faktikisht e ke përcaktuar ti, si mazhorancë parlamentare se kë duhet të emërojë Presidenti i Republikës dhe i heq të drejtën Presidentit të Republikës që i ka dhënë Kushtetuta të përzgjedhë si nënkryetar të KLD-së një nga anëtarët e këtij Këshilli”.

Kur ai ishte Ministër i Brendshëm, NATO kishte si kusht kryesor për anëtarësim edhe heqjen e varësisë së policisë nga Ministri.

Bujar Nishani, Presidenti i Republikës: “Ka qenë një investim i aleatëve tonë kryesor. Madje janë shpenzuar disa qinda mijë dollarë të taksa-paguesve amerikanë përmes asistencës së dhënë nga specialistët pranë policisë së shtetit. Janë shpenzuar disa qindra mijëra euro nga taksa-paguesit europianë, përmes asistencës që dhanë specialistët e ardhur nga BE. Sot, me ndryshime të gjitha këto kontribute janë shumëzuar me zero”.

Nëse ligjet do të miratoheshin pushteti gjyqësor de facto është në dorë të mazhorancës qeverisëse sipas Presidentit, ashtu si policia e shtetit dhe hetimi penal.

Bujar Nishani, Presidenti i Republikës: “Nëse qeveria kërkon të marrë nën varësi Prokurorinë, dakord le ta bëjë por përmes ndryshimit të Kushtetutës, përmes ndryshimit ligjor dhe mund të merret Prokuroria në vartësi të qeverisë. Por jo të krijojmë në cënim të Kushtetutës, një strukturë paralele, herë-herë me kompetenca akoma më të mëdha se ajo e Prokurorisë brenda një strukture të tillë siç është policia e shtetit”.

Pas disa konsultimesh gjatë javës, Kreu i Shteti pritet të japë me dekret edhe qëndrimin e tij për ndarjen territoriale apo dokumentin e strategjisë kombëtare.

Intervistoi Merita Haklaj, ABC NEWS