Vrulli i turizmit në Shqipëri viteve të fundit ka nxitur zhvillimin e aktiviteteve të turizmit detar për qëllime çlodhëse dhe argëtuese.

Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit deri më tani në gjithë vendin janë certifikuar 134 subjekte për të ushtruar aktivitete lundrimi që nga skafet, motorët e ujit, jetski dhe çdo lloj veprimtarie të ngjashme.

“Zhvillimi i sektorit të turizmit detar ecën në mënyrë paralele edhe me zhvillimin e sektorit të turizmit. Viti 2023 pati një bum në lidhje me turoperatorët detarë”, tha Sofjan Jaupaj, Drejtor për Çështjet Ekonomike dhe Shërbimet Mbështetëse, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Turizmi detar zhvillimin më të madh e ka në jug të vendit. Aktiviteti më i përhapur është ai i lundrimit për zbavitje, pasuar nga sportet ujore.

“Aktivitetet që dominojnë janë certifikimet që lidhen me anijet, skafet e vogla apo jahtet që lidhen me vizitat apo turet që kryhen në zonën e jugut të Shqipërisë si në ishullin e Sazanit, vizita në shpella apo monumente natyrore që aksesohen vetëm përmes detit. Por gjithashtu janë edhe sportet ujore, kryesisht jetski”, tha Jaupaj.

Ndryshe nga viti i kaluar, për këtë sezon turistik detyrimin për t’u certifikuar e kanë edhe ato subjekte që ushtrojnë veprimtari ujore në liqene.

“Këtë vit kemi një risi, përveç bregdetit janë dhe zonat liqenore ku po certifikohen, si për shembull liqeni i Komanit që tani është një atraksion turistik botëror, kryesisht për zhvillimin e aktiviteteve të lundrimit me anije apo skafe”, tha ai.

Për një sezon sa më të sigurt për pushuesit, Ministria e Turizmit thotë se asnjë subjekt nuk do lejohet pa certifikim.

“Ky sezon premton të ketë flukse të larta turistike, i bëj thirrje që të bëjnë aplikimin sa më shpejt sepse me ngritjen e taskforcës apo me angazhimin e policisë kontrollet do jenë të plota, përgjithësisht shkohet në konfiskimin e mjetit”, njoftoi ministria.

Për muajt e parë të vitit 2024 janë regjistruar 34 aplikime, prej të cilave 26 janë certifikuar.

Tv Klan