Zhvillimet në ekonominë shqiptare, reformat e ndërmarra, si dhe pritshmëritë për periudhën në vazhdim ishin në fokus të takimeve të Guvernatorit Gent Sejko dhe ministrit Ervin Mete me përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore në Washington.

Guvernatori Sejko theksoi se 2023 në Shqipëri u mbyll me uljen e mëtejshme të borxhit publik, i cili zbriti në nivelin 59.2%, me shifra rekord të investimeve të huaja që arritën në afro 1.5 miliardë euro dhe padiskutim me një numër të lartë turistësh të huaj, trend i cili ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti.

Inflacioni ka zbritur në objektivin e Bankës së Shqipërisë brenda një kohe relavitisht të shpejtë, duke arritur në 2.3% në muajin Mars, kjo edhe si pasojë e ndërhyrjeve dhe politikës monetare të ndjekur nga Banka Qëndrore nënvizoi guvernatori Sejko gjatë takimit me FMN dhe Bankën Botërore.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore e vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga autoritetet shqiptare në sektorin ekonomik.

Ata veçuan si një zhvillim pozitiv rritjen e vlerësimit për herë të parë të agjencisë “Standard&Poor’s” për kreditin e Shqipërisë, i cili u pasua nga një rishikim në rritje i perspektivës edhe nga agjencia “Moody’s”, si edhe theksuan se dalja e vendit nga lista gri e “FATF/MONEYVAL” është gjithashtu një lajm me efekte shumë pozitive për Shqipërinë.

Ndër të tjera si FMN ashtu edhe Banka Botërore vlerësuan edhe përballimin me sukses të goditjeve të njëpasnjëshme të ekonomisë, ku Shqipëria rezultoi një nga ekonomitë më rezistente në Rajon.

Klan News