Një 15-vjeçare ka humbur jetën pasi konsumoi një substancë psikoaktive, lloj droge e re që ndikon në funksionimin e trurit dhe të sjelljes.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën në Britani të Madhe. Adoleshentja quhet Leah Kerry. Ajo ka qenë në park me dy shokë të tjerë kur konsumuan substancën. Dy të miturit e tjerë u dërgua në spital si masë paraprake pas vdekjes së 15-vjeçares. Policia ka konfirmuar se adoleshentja ndërroi jetë pikërisht për shkak të kësaj lloj droge.

Sipas autoriteteve britanike, tek të rinjtë ka tendencë që substancat e reja psikoaktive i konsiderojnë të ligjshme dhe tentojnë t’i japin një lloj legjitimiteti.

“Ato nuk janë ligjore. Ato janë të paligjshme, janë shumë shumë të rrezikshme. Ndoshta më të rrezikshme se sa drogërat tradicionale. Mos i përdorni substancat e reja psikoaktive, janë shumë të rrezikshme. Kjo vajzë bëri një gabim, një gabim në jetën që zgjodhi të bënte dhe pagoi çmimin”,

apeloi zyrtari i policisë Ken Lamont.

Ai kërkoi gjithashtu edhe ndihmën e banorëve që të japin informacione nëse kanë dijeni se kush i shet këto lloj substancash. Ngjarja e rëndë tronditi komunitetin lokal të South Devon në Angli. Shoqet dhe shokët e viktimës shprehën ngushëllimet për të me mesazhe prekëse në rrjetet sociale. /

tvklan.al