Të paktën 6 persona u plagosën pas një aksidenti që fatmirësisht përfundoi pa viktima në Honduras, mëngjesin e të martës. “BBC” raporton se avioni privat G200 fluturonte nga Austin i Teksasit për të Tegucigalpa të Hondurasit, kur doli jashtë piste.

Aeroporti Ndërkombëtar i Toncontinit, me pistën e shkurtër dhe i rrethuar nga malet, vlerësohet si një prej aeroporteve më të rrezikshme në botë.

Pas daljes nga pista, avioni G 200 u thye më dysh, teksa ndaloi pasi u përplas me një pjesë të ngritur toke.

Autoritetet dhanë informacione konfuze lidhur me numrin e personave në bord, duke thënë 6 ose 9. “Faleminderit Zotit nuk ka viktima”, tha një zyrtar i Policisë për “AFP”.

Një ekspert aviacioni tha se avioni mund të ketë pasur shumë peshë në pjesën e prapme duke sjellë ndarjen e tij më dysh pas përplasjes, ndërsa pasagjerët që arritën t’i mbijetojnë aksidentit ishin të gjithë në pjesën përpara.

Në një tjetër aksident të ngjashëm në vitin 2008, në Aeroportin ndërkombëtar të Toncontinit humbën jetën 5 persona.

/tvklan.al