Dhjetëra kamionë të vendosur para Pallatit Presidencial të Turqisë, i përfolur si më i madhi në botë, kanë sjellë në mendje grushtin e dështuar të shtetit korrikun e vitit të kaluar.

Fotot janë publikuar mbrëmjen e së martës nga agjencia shtetërore e lajmeve “Anadollu Agency”. 

Mbrëmjen e 15 Korrikut të 2016-ës, kamionistët bllokuan të gjitha rrugët që të çonin tek Pallati Presidencial me mbi 1000 dhoma, në përpjekje për të frenuar çdo përpjekje të puçistëve që t’i afrohen pallatit. E njëjta ndodhi para shumë institucioneve kyçe në Stamboll dhe Ankara.

Presidenti Erdogan nuk e ka harruar ndihmën e kamionistëve në një natë vendimtare kur ai u tentua të rrëzohej nga pushteti dhe i ka ftuar kamionistët për një iftar në Pallatin Presidencial.

Në përkujtim të ngjarjeve tragjike, kamionistët edhe një herë i kanë vendosur kamionët e tyre në formë mburoje para pallatit të Erdoganit.

Rreth 250 persona u vranë dhe mbi 2000 të tjerë u plagosën anekënd Turqisë gjatë tentativës për grusht shteti vitin e kaluar, komplot për të cilin Erdogan akuzon klerikun e vendosur në SHBA, Fetullah Gylen. /tvklan.al