Dy të vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një atentati me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së dielës në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:05, në një lokal në lagjen “Partizani” të qytetit bregdetar.

Sipas policisë, viktima të këtij atentati janë Ilir Deromemaj rreth 45 vjeç, pronari i një eurolloto dhe Dhimitër Cani, rreth 60 vjeç, ndërsa i plagosur ka mbetur Krenar Runa, rreth 50 vjeç, të tre banues në Vlorë.

Dyshohet se Deromemaj të ketë qenë shënjestra e sulmit, pasi sipas policisë ai është person me precedent penal, sepse në vitin 1998 ka vrarë shtetasin Lame Gockaj.

Ndërkohë që unifromat blu kanë gjetur një mjet plotësisht i djegur në rrugën drejt fshatit Alikok, pranë varrezave, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Mjeti tip “Xhip” me targë AA210FS, rezulton të jetë mjet i vjedhur në Fier para 2 muajsh.

Aktualisht në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar në ambientet e policisë 7 persona, me të cilët po punohet për zbulimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes./tvklan.al