Konsumi i energjisë elektrike gjatë vitit që shkoi pësoi ulje, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë. Në raportin vjetor të këtij institucioni bëhet e ditur se konsumi në total për vitin 2023 shkon në rreth 6.4 % më pak se viti 2021, që mban dhe rekordin për konsum maksimal.

Kjo ulje e konsumit total të energjisë elektrike është reflektuar për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, por veçanërisht për konsumatorët që furnizohen në tregun e parregulluar, të cilët për vitin 2023 kanë konsumuar rreth 1,361 GWh si pasojë e instalimit të impianteve fotovoltaike.

Konsumi i energjisë elektrike totale në vend përgjatë vitit 2023 është mbuluar nga gjenerimi i energjisë elektrike i realizuar nga KESH sh.a., prodhuesit e pavarur të energjisë elektrike, prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike, si dhe nga importi i energjisë elektrike.

Gjatë vitit 2023, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes i ka dhënë statusin e vetëprodhuesit, 723 klientëve me një kapacitet total prej rreth 60.5 MWh. Nga ana tjetër abonentët familjarë rritën konsumin energjetik me 10 mijë megavat nga 2022-shi, duke e çuar në 3.11 mln në total. Po ashtu ERE raporton se gjatë vitit të shkuar janë regjistruar 20 mijë abonentë të rinj.

Tv Klan