Shoqëroi kryeministrin shqiptar Edi Rama drejt zyrës së presidentit Macron në pallatin Elysee. Ministri i ri francez për evropën Jean-Noël Barrot ka ngjallur optimizëm për përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë dhe shteteve të tjera të rajonit në BE.

“Zgjerimi me shtetet e Ballkanin Perëndimor është në interes të Francës dhe Evropës, sepse ne preferojmë të eksportojmë modelin tonë të stabilitetit, demokracisë dhe shtetit ligjor, sesa të importojmë destabilitet. Duke e zgjeruar Bashkimin Evropian në Ballkanin Perëndimor, ne vetëm do ta kompletonim atë. Nëse keni parasysh hartën e Evropës, e dini se ky rajon ngjan me një ishull që nuk ka arritur ende të arrijë standardet tona, por që po bën përparim drejt arritjes së objektivave.”

Për Barrot duke mbetur jashtë Bashkimit Evropian, shtetet ballkanike mbeten subjekt i ndikimit të vendeve si Rusia apo Kina. Gjithsesi Franca është kundër anëtarësimit në grup të këtyre shteteve në familjen evropiane.

“Zgjerimi mund të arrihet vetëm në kushte të caktuara dhe duhet respektimi i parimit të meritave individuale. Këto vende duhet që të reformojnë më tej sistemin e tyre gjyqësor, me synimin që të respektojnë parimet themelore të shtetit të së drejtës. Nëse një shtet kandidat nuk i plotëson këto hapa, procesi i anëtarësimit nuk mund të vazhdojë.Procesi i zgjerimit duhet që të kryhet paralelisht me procesin e reformimit të Bashkimit Evropian.”

Barrot u shpreh pro shumicës së cilësuar dhe heqjes së votimit me unanimitet që sipas tij nuk garanton kushtet më të mira për ushtrimin e sovranitetit evropian. Ai po ashtu nuk ishte në favor të organizimit të një referendumi për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Klan News