Ballkani shënon rënie. Pandemia, pikë kthese

Organizata Freedom House ka publikuar raportin e përvitshëm për nivelin demokracisë në botë.

Sipas saj, një numër i madh udhëheqësish në Evropën Qendrore dhe Lindore as nuk përpiqen të pretendojnë se po luajnë sipas rregullave demokratike.

Disa nga vendet e Ballkanit shënuan rënie në nivelin e demokracisë gjatë vitit 2019, krahasuar me një vit më herët, përfshirë edhe Shqipërinë.

Vendi ynë edhe këtë vit është në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion duke shënuar rënie në qeverisjen demokratike dhe procesin zgjedhor.

Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë dhe 7 më i larti, Shqipëria ka 3.82 pikë nga 3.89 që kishte një vit më parë.

“Ky vlerësim vjen pas atij të bërë në raportin për “Lirinë në Botë”, në të cilin Shqipëria renditej si vendi më demokratik në rajon me 67 pikë, e ndjekur nga Serbia me 66, Maqedonia e Veriut me 63, Mali i Zi me 62, Kosova me 56 dhe e fundit Bonja me 53.

Pas publikimit të raportit reagoi Presidenti Meta që thotë se është thellësisht i shqetësuar nga konkluzionet. Sipas tij përkeqësimi i treguesve për nivelin e demokracisë, rënia në qeverisje dhe proces zgjedhor kërkon një reflektim dhe përgjigje nga të gjithë.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se bashkë me maskat e skaduara të qeverisë, ka rënë edhe maska e skaduar e demokracisë fasadë në Shqipëri.

Por Kryeministri Edi Rama reagoi duke thënë se e bardha po bëhet e zezë. Ai thotë se në raportin që mat lirinë demokratike në 195 shtete të botës, Shqipëria rezulton vendi me indeksin më pozitiv të lirive demokratike në Ballkanin Perëndimor, me 67 pikë.

“Po, e vërtetë, kemi rënë me një pikë krahasuar me vjet dhe mund të kishim rënë edhe më shumë nëse klima e zjarrtë politike do të kishte djegur larg qoftë vendin, siç ishte plani i dështuar i trazirave të vjetshme, të cilat u projektuan për t’i vënë zjarrin Shqipërisë dhe dogjën opozitën”, shkruan Rama, duke thënë se kur socialistët morën në dorë qeverisjen e vendit, Shqipëria ishte e fundit.

Freedom House thotë në raportin e saj se pandemia e koronavirusit përbën një pikë kthese që mund të thellojë rënien ose të rigjallërojë demokracinë.

Tv Klan