vdes prokuroriNgjarja që tronditi të martën Stambollin u mbyll me një fund tragjik.

Prokurori i marrë peng nga dy ekstremistë të një organizate të majtë u shpëtua nga policia, por ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të marra.

Mehmet Selim Kiraz u plagos rëndë gjatë pengmarrjes, ku u vranë edhe dy pjesëtarët e organizatave ilegale revolucionare marksiste.

Prokurori u mor peng pas mesditës, kur po shkonte për të dorëzuar në gjykatë dosjen hetimore për vdekjen e adoleshentit 15-vjeçar Berkin Elvan.

Adoleshenti ndërroi jetë një vit më parë, pas 9 muajsh në koma nga plagët e marra në protestat antiqeveritare të verës së vitit 2013 në Stamboll.

Në këmbim të lirimit të tij, pengmarrësit marksistë kërkuan që policia të publikonte emrat e 4 policëve të dyshuar si të përfshirë në vdekjen e adoleshentit.

Operacionit për lirimin e Prokurorit nuk i shërbeu as ndërhyrja e babait të 15-vjeçarit të vrarë në protestë, i cili u fut për të negociuar me pengmarrësit.

Gjatë negociatave me policinë, ata publikuan në rrjetet sociale edhe fotot, ku shfaqej Prokurori nën kërcënimin e pistoletës së njërit prej pengmarrësve në kokë.

Forca të shumta të policisë mbajtën të rrethuar Gjykatën për orë të tëra deri në momentin e ndërhyrjes që rezultoi fatal edhe për Prokurorin Mehmet Selim Kiraz.

Tv Klan