Mark_markuKy është Mark Marku, një 28 –vjeçar që mbahet në burg në Greqi prej vitit 2012. Është dënuar me 18 vjet për pjesëmarrje në një grabitje të armatosur në Rrethimons të Kretës, sëbashku me nëntë persona të tjerë. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në 3 maj të vitit 2010.

Por dokumentat që ai disponon, faktojnë se ai ka qenë në Irlandë në këtë datë. Prej vitit 2009, ai jetonte në këtë vend, pas martesës me shtetasen irlandeze Xhuli Orajli, me të cilët ishte njohur në Kretë, ku Marku jetonte me familjen e tij, ndërsa Orajli punonte me kohë të pjesëshme.

Bashkëshortja irlandeze, nismëtare e një fushate mediatike përmes së cilës kërkon vënien e drejtësisë në vend për Markun, thote se disponon biletat e avionit që tregojnë për një udhëtim të Markut drejt Greqisë, disa ditë pas  ngjarjes për të cilën akuzohet. Ai udhëtoi më 18 maj drejt Kretë për të vizituar familjen. Gjykatësve, sipas saj, u janë paraqitur edhe dokumenta që faktojnë se ai ka punuar si kamarier në provë në Irlandë, të cilën e ka filluar në datën 3 maj. Pjesë e dokumenteve ishte edhe vërtetetimi i një rroge shtesë për atë ditë pune.

Por drejtësia greke nuk i merr ato parasysh, duke i konsideruar si të falsifikuara, duke vënë indirekt në dyshim madje edhe besueshmërinë e autoriteteve irlandeze. Avokatët thonë se provat e ADN-së të marra nga disa doreza gome, që dyshohet të jenë përdorur nga Marku në grabitjen e pretenduar, nuk faktojnë pjesëmarrjen e tij.

Bashkëshortja Orajli ka kërkuar disa herë ndihmën e qeverisë irlandeze, që sipas saj ka ngritur zërin aq sa mundet, pasi Marku ende nuk është shtetas irlandez. Autoritetet e kanë adresuar çështjen edhe në ambasadën shqiptare. Por kjo e fundit, sipas Orajlit dështoi në trajtimin e saj. Rasti i shqiptarit është publikuar vazhdimisht në shumë të përditshme, radio e televizione, irlandeze e britanike dhe shumëkush është solidarizuar me padrejtësinë që i është bërë. Megjithatë drejtësia greke, si në shumë raste kur flitet për emigrantë shqiptarë bën një vesh të shurdhët.