Rritet tensioni me Gjermanisë dhe Turqisë pas arrestimit të 6 aktivistëve për të drejtat e njeriut në Ankara, mes të cilëve edhe një shtetas gjerman.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel, kërcënoi se marrëdhëniet me Turqinë do të rishikohen.

“Politikat tona me Turqinë duhet të marrin një tjetër drejtim. Nuk mund të vazhdojmë siç kemi bërë deri tani. Duhet t’ia bëjmë të qartë Ankarasë se politikat që ndërmerr nuk janë pa pasoja. Do të ashpërsohen masat për gjermanët që udhëtojnë në Turqi. Qytetarët dhe ndërmarrjet tona duhet të dinë se qeveria nuk ia garanton sigurinë atje.”

Kryediplomati gjerman tha se do të bisedojë me partnerët europianë, për sa i përket aspirimit të Turqisë në BE. Ai nënvizoi se ky qëndrim është në përputhje me kancelaren Merkel.

Gjashtë aktivistë të të drejtave të njeriut, mes tyre edhe shefja e Amnisty International, u arrestuan pak ditë më parë në Ankara. Ata akuzohen për mbështetje të terrorizmit.

TV KLAN