Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu gjatë seancës së radhës për çështjen “Gërdeci”, kërkoi ri-ekspertim të shpërthimit të ndodhur më 15 Mars 2008 për të përcaktuar saktë shkaqet. Ai së bashku me avokatët kundërshtojnë konkluzionin e Prokurorisë se saldimi i i karrocës shkaktoi zjarrin.

“Nuk mundet që një të vërtetë ta ndërtojmë mbi hipoteza. Aktet e ekspertimit tregojnë qartësisht se çfarë ka ndodhur dhe mendoj që do të ishte në dinjitetin edhe të organit të akuzës, por edhe të këtij procesi të bëheshin të gjitha aktet eksperimentale për të arritur në një konkluzion sa më të afërt dhe sa më të drejtë.”

Për këtë kërkesë gjyqtarja Gjoka tha se do të shprehet në një moment tjetër. Në seancën gjyqësore që zgjati 1 orë e 40 minuta u lexua edhe përgjigja e autoriteteve amerikane. Ato theksojnë se nuk mund të merren në pyetje 5 shtetasit amerikanë nga një gjyqtar. Specifikojnë se ata mund të japin përgjigje vetëm para agjentëve të FBI-së.

“Do kemi një konsultim me avokatët për të mbajtur një qëndrim në raport me këtë pjesën e SHBA-së. Ne nuk preferojmë të ecim me pyetje me letra, kemi kërkuar të kemi një diskutim interaktiv. Me një kompani që ka pasur kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes. Do ishte më mirë një video konferencë sesa letërporosi.”

Seanca e radhës për procesin “Gërdeci” do të zhvillohet më 2 Maj.

Klan News