Një prift 63-vjeçar ka ndezur reagime të forta në Ghana pasi është martuar me një 12-vjeçare.

Nuumo Borketey Laweh Tsuru XXXIII u martua me një ceremoni tradicionale ditën e shtunë. Liderët e komunitetit i janë kundërpërgjigjur kritikave dhe kanë thënë se njerëzit nuk i kuptojnë zakonet dhe traditat e tyre.

Mosha minimale e martesës në Ghana është 18 dhe prevalenca e martesës së të miturve është ulur, por fenomeni vijon. Sipas organizatës botërore jo qeveritare Girls Not Brides, 19% e vajzave të vendit martohen përpara se të mbushin 18 vjeç dhe 15% e tyre përpara të 15-ave.

Videot dhe fotot e ceremonisë së të shtunës që u ndoq nga dhjetëra anëtarë të komunitetit janë shpërndarë në rrjetet sociale duke shkaktuar thirrje të forta mes ganezëve.

Gjatë saj, gratë flisnin në gjuhën vendase dhe i thoshin vajzës që të vishte rroba joshëse për bashkëshortin e saj. Ato e këshillonin të përgatitej për detyrat bashkëshortore dhe të përdorte parfumet që i kishin dhuruar për t’iu dukur më tërheqëse bashkëshortit.

Deklaratat shtuan zjarrin e reagimeve pasi nënkuptojnë se martesa nuk është thjesht ceremoniale.. Kritikët u kanë bërë thirrje autoriteteve që ta zhbëjnë martesën dhe të hetojnë priftin.

Drejtuesit e Nungua, komunitetit indigjen që çifti i përket, kanë dënuar qëndrimin kundër martesës dhe kanë thënë se kritika “vjen nga injoranca”. Një prej tyre u shpreh se roli i vajzës si gruaja e priftit është “traditë dhe zakon”.

Ai shtoi se prej 6 vitesh vajza ka filluar të ndjekë ritet për t’u bërë gruaja e priftit, por procesi nuk ka ndërhyrë në edukimin e saj.

Vajza do t’i nënshtrohet një ceremonie të dytë tradicionale për ta pastruar për rolin e saj si gruaja e priftit të madh. Mediat lokale kanë raportuar se ceremonia do ta përgatisë edhe për detyrat bashkëshortore si lindja e fëmijëve.

Tsuru është një “Gborbu Wulomo” ose prifti i lartë tradicional i komunitetit Nungua në kryeqytetin Akra. Si udhëheqës shpirtëror, ai renditet ndër drejtuesit më të të komunitetit. Tsuru kryen sakrifica në emër të tij, lutet për mbrojtje, vendos praktika kulturore dhe udhëheq ritet tradicionale.

Autoritetet qeveritare nuk janë përgjigjur ende për martesën. Ligji i parashikon martesat tradicionale, por nuk lejon martesën e të miturve nën velin e kulturës apo traditës./tvklan.al