Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë konfirmuar se ditën e sotme falë një operacioni kanë gjetur trupat e pa jetë të tre pengjeve në Rripin e Gazës. Mediat lokale raportojnë se ata janë vrarë më 7 tetor.

Kryeministri i vendit Benjamin Netanyahu gjatë një dalje për mediat tha se lajmi për gjetjen e tre tupave të pajetë të marrë peng ishte një lajm i kobshëm dhe zemërthyes.

“Më thyhet zemra me një humbje kaq të madhe, unë dhe gruaja ime jemi të pikëlluar. Ne do t’i sjellim në shtëpi të gjithë pengjet tanë qofshin ata të gjallë apo të vdekur. Përgëzoj djemtë tanë trima që me vendosmëri sollën në shtëpi bijtë dhe bijat e Izraelit,” është shprehur Netanyahu.

Në një deklaratë për mediat Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, IDF, tha se trupat ishin gjetur në një operacion gjatë natës. Ata thanë se kishin vepruar në bazë të inteligjencës së mbledhur nga marrjet në pyetje të terroristëve që ishin arrestuar në Gaza.

Gjithashtu është bërë e ditur se trupat u gjetën në një tunel të Hamsit dhe se mendohet që ata të jenë vrarë në një kryqëzim pranë vendit ku ndodhi masakra në Festivalin Nova. Në këtë festival humbën jetën më shumë se 360 persona dhe u morën peng qindra pengje, 125 prej të cilëve kanë ende të zhdukur.

Sipas një marrëveshjeje të rënë dakord në nëntor, Hamasi liroi 105 pengje në këmbim të një armëpushimi njëjavor por ende nuk është e qartë numri i saktë i pengjeve që mund të jenë gjallë.

Ndërkaq që nga fillimet e luftës më 7 tetor kanë humbur jetën të paktën 35 mijë palestinezë kryesisht civilë, kurse 2.2 milionë janë duke jetuar në kushte ekstreme, pasi u mungon ushqimi, uji, ilaçet dhe shërbime të tjera jetike.

/tvklan.al