Gjykata e Posaçme ka liruar nga qelia avokatin e Korçës Arben Lena, të arrestuar për korrupsion.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, ka mësuar se Lena do të qëndrojë në masën e arrestit shtëpiak deri në përfundim të hetimeve.

Ai u arrestua në Janar të këtij viti me dyshimin se do  të ndikonte në Gjykatën e Apelit të Korçës për lirimin e një të arrestuari për trafik klandestinësh.

Bashkë me të u arrestuan edhe 6 persona të tjerë. Nikolla Hafësllari, Nikolla Jesku, Blerand Kozici dhe Artiana Kozici në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhënë përfitim të parregullt prej 5 000 Euro, me qëllim ushtrimin e ndikimit të paligjshëm tek gjyqtari i Gjykatës së Apelit Korçë për lehtësimin e pozitës procedurale të të pandehurit Blerand Kozici, i cili po hetohej nën efektin e masës së sigurimit “arrest në burg“, nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec.

Dy të pandehurit e tjerë, Arben Lena dhe Dajana Kodra (Ninga), kanë marrë paratë duke premtuar se do të ushtronin ndikim të paligjshëm te gjyqtari i Gjykatës së Apelit Korçë, me qëllim lehtësimin e pozitës procedurale të të hetuarit Kozici. Ndërkohë i pandehuri tjetër Dritan Tabaku akuzohet për moskallëzim krimi.

/tvklan.al