Qeveria e Maqedonisë miratoi ligjin që i hap dritën jeshile zyrtarizimit të Gjuhës Shqipe. Sipas ligjit në fjalë, Gjuha Shqipë do të jetë gjuhë zyrtare dhe do të përdoret në të gjitha organet e pushtetit qendror në Republikën e Maqedonisë, institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, drejtoritë, komisionet.

Ajo do të flitet edhe nga personat juridik, të cilët kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev nga Ohri tha se ligji, i cili do të jetë në përputhje me Kushtetutën, i jep zgjidhje çështjes së përdorimit të gjuhëve të bashkësive entike, apo gjuhës që e flasin së paku 20% e popullatës në Maqedoni.

“Do të thotë, kjo zgjidhje ligjore siç përmenda është në përputhje të plotë me nenin 5 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Shfrytezoj rastin t’i bëj thirrje VMRO-së. Ata paralajmëruan pozicionim të ri të politikave ndaj komunitetit etnik shqiptarë. Tani është çasti i duhur që ta bëjnë këtë. I bëj thirrje BESES, PDSH-së dhe partive tjera joparlamentare që t’i shikojnë këto perspektiva të Maqedonisë me pozitivitet sepse bota ndryshon, është koha qe të ndryshojme edhe ne.”

Për ligjin e gjuhëve pritet të merret edhe mendimi i Komisionit të Venecias, përsa i përket përdorimit të dygjuhësisë në bankënota dhe uniformat e forcave ushtarake të Maqedonisë.

Tv Klan