Një tjetër dëshmi në Gjykatën e Krimeve të Rënda rëndon pozitat e Emiljano Shullazit dhe grupit të tij.

Në seancën e kësaj të marte është paraqitur dëshmitari i prokurorisë Besnik Musaj.

27 – vjeçari nga Durrësi ka statusin e dëshmitarit të mbrojtur pasi një vit më parë ka kallëzuar Shullazin në prokurori.

Musaj e nisi dëshminë e tij me pretendimin se familja e tij është kërcënuar ditën e dielë nga dy persona, të cilët kanë tentuar të hyjnë në banesë.

“Dy persona të panjohur për familjen time i kanë thënë mamasë se nëse djali dëshmon në atë gjyq, do t’i keni punët shumë keq”.

Pavarësisht kërcënimeve, ai është paraqitur në gjykatë, ku ka dhënë versionin e tij të ngjarjeve.

Rrëfimi ka qenë i njëjtë me atë të dëshmitarit tjetër të mbrojtur, Ylvi Beqajt, i cili bashkëjeton me motrën e tij.

27 – vjeçari i tha gjykatës se veç lidhjes përmes të motrës me Beqajn, ai ka punuar për disa vjet shofer i tij.

Musaj tha se ka parë me sytë e tij se si Emiljano Shullazi i ka vendosur biznesmenit pistoletën në bark tek një noteri në Durrës, ku u firmos kontrata e dhurimit të një pjese të ish-hotel “Vollgës”.

Gjithashtu sqaroi se të paktën dy herë, Beqja, nën kërcënim i ka dhënë më shumë se 80 mijë euro, që i janë dorëzuar Gilmando Danit tek parku i autobusëve, në Tiranë.

Kjo dëshmi është kundërshtuar nga të pandehurit Emiljano Shulalzi, Gilmando Dani si dhe avokatët mbrojtes.

Sipas tyre, kjo dëshmi ka mjaft kontradikta, të cilat e bëjnë të pabesueshme dhe të sajuar.

Në këtë seancë ishte thirrur për të dëshmuar edhe ish-numri një i hipotekave Ilirjan Muho. Ai nuk është paraqitur duke e justifikuar mungesën me probleme familjare. Seanca u shty për të martën tjetër, ku janë thirrur 9 dëshmitarë.

Tv Klan