Rektori Hoxha: Duhet t`u shërbejmë studentëve dhe jo të cenojmë arsimimin e tyre

Rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha gjatë një interviste për Klan News tha se në protestë janë një pakicë e pedagogëve, dhe sipas tij kjo nuk është forma e duhur, pasi nuk mund të cënohen studentët.

Artan Hoxha: Kjo është një protestë e pedagogëve e përfaqësuar nëpërmjet zërit të tyre të drejtpërdrejtë apo edhe zërit sindikalist. Kjo është një gjë e mirë në planin e lirisë dhe të nevojës për të kërkuar kushte më të mira. Në radhë të parë ne, në universitete jemi për studentët tanë.

Sipas rektorit,  Universiteti i Tiranës i ka mundësitë e rritjes prej 8% të pagave të stafeve akademike duke arritur limitin 15%, gjë që pritet të bëhet brenda këtij muaji. Ndërkohë që sipas tij projektet e fituara nga universiteti i Tiranës gjenerojnë të ardhura shtesë për gjysmën e pedagogëve.

Artan Hoxha: 45 pedagogë kanë qenë të përfshirë në kërkime shkencore në vitin më të largët 2020. Sot universiteti i Tiranës ka 400 të tillë nga 700 e ca pedagogë që janë të përfshirë në projekte të fituara. Nëse në vitin 2020 kishte 9 projekte të fituara për vitin 2021 dhe 2022 ka 37 projekte të fituara. Të cilat janë projekte ndërkombëtare, janë Erazmus, janë horizont.

Sipas rektorit Hoxha duhet riparë strategjia e arsimit dhe shpërndarja e kuotave në universitete.

Artan Hoxha: Hapja e universiteteve pa shumë kritere. Gjeneralisimi i tyre, nisen si universitete në një fushë dhe pastaj shkojnë në fusha të tjera sipas nevojave, mosspecializimi, shpërqendrimi, rritja e numrit të institucioneve të arsimit të lartë pa kritere studime,janë çështje që bëjnë bëjnë që të diskutohet në tërësi çështja e arsimit të lartë.

Shqetësim sipas rektorit Hoxha është ulja e numrit të studentëve në institucionet e arsimit të artë. Në dy raundet e para sipas tij janë ezauruar 70% e kuotave në universitetin e Tiranës. Ndërkohë që ende janë edhe dy raunde të tjera regjistrimi. Aplikimi për raundin e tretë nis më 19 Tetor.

Klan News