Pas grabitjes së punonjëses së ujësjellësit në Kamëz, policia ka arrestuar autorin e dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje.

Në pranga ka rënë Afrim Serjani, 39 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Durrës.

Ndërsa autori i identifikuar si Eridon Shahaj , 44 vjeç, banues në Durrës, u shpall në kërkim nga policia. Ai dyshohet të jetë autori i vjedhjes me dhunë të ndodhur me 15.07.2016  rreth orës 7:30 në Babrru, Kamëz, në vendin e quajtur rruga “Halit Haxhia.”

Sipas policisë, nën kërcënimin e thikës ai i  ka marrë me dhunë nga dora çantën punonjëses së ujësjellësit M. Ll., 54 vjeç, banuese në Babrru Tiranë, ku brenda saj ndodheshin 6 milion lekë të vjetra.

Nga informacionet e marra në rrugë operative dhe veprimet proceduriale u bë e mundur gjetja e automjetit tip “Renault” me targë AA903GX dhe automjeti tip “Opel” me targë AA481LB, mjete që dyshohet të jenë përdorur nga autori dhe bashkëpuntori i tij.

Nga kqyrja e automjetit tip “Renault”, u gjet një kuti plastike ku në brendësi kishte një shumë parash metalike me një vlerë të përgjithshme 5046 lekë të reja.

Policia po punon intesivisht për kapjen e autorit Eridon Shahaj 44 vjeç, të shpallur në kërkim lidhur me këtë ngjarje.

Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës parë Tiranë,  për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë”e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 139 dhe 25 i Kodit Penal./tvklan.al