grabitesi-zoneelireAktori i Teatrit “Metropol” i Tiranës, Besmir Bitraku është personazhi i përballjes mes “Maskës” së grabitjes së kompanisë Neranxi me pronarin e kësaj të fundit Nikollaq Neranxi në emisionin “Zonë e Lirë” të Arjan Çanit, mbrëmë në Klan.

E improvizuar nga vetë autori i emisionit Çani, kjo përballje, shtangu jo vetëm biznesmenin Neranxi por dhe publikun në sallë, kur në emision u fut personi që u prezantua si një ndër grabitësit që me dhunë u fut në kompaninë Neranxi në autostradë 10 ditë më parë, duke grabitur një shumë të vogël parashë.

Vetë biznesmeni Neranxi, i shokuar nga përballja me një nga grabitësit e supozuar të kompanisë së tij, nuk ka mundur as t’i bëjë pyetje. Drejtuesi i “Zonë e Lirë”, Çani ka vazhduar të ngacmojë njeriun me maskë në lidhje me grabitjen.

Pasi ka përballur grabitësin e supozuar dhe viktimën e tij, Çani ka thirrur edhe një jurist penalist, që ka shpjeguar se ligji aktual nuk i favorizon viktimat e grabitjeve nëse ndërmarrin masa për vetëmbrojtje duke qëlluar mbi grabitësit.

Në fund të emisionit, pasi e kanë ndjekur nëpërmjet ekranit, në Klan kanë mbërritur edhe efektivë të policisë të cilët menduan se e kapën të paktën një ndër autorët e grabitjes, por pasi janë përballur me të, ata mësuan se bëhet fjalë për një artist dhe pikërisht për aktorin e Teatrit Metropolitan, Besmir Bitraku, i cili ishte ftuar në këtë përballje të supozuar me viktimën e tij, pikërisht sipas idesë së drejtuesit të emisionit, për të promovuar idenë se viktimat e agresioneve të tilla si ajo e Neranxit, duhet të kenë më shumë mundësi ligjore të mbrohen nga grabitësit të cilët së fundmi janë shtuar në pothuajse gjithë territorin e vendit.

Tv Klan