KAKAVIJE

Kontrabanda në pikën doganore të Kakvijës po lulëzon. Kështu shkruajnë mediat greke teksa i referohen një takimi të drejtorit të Përgjithshëm të Tregëtisë në Ministrinë e Zhvillimit dhe Konkurencës me autoritetet doganore greke të Kakavijës fundjavën e kaluar. Sipas tyre kalimi ilegal i mallrave në kufirin me Shqipërinë konsiderohet si një fenomen tepër shqetësues pavarësisht përpjekjeve për të frenuar korrupsionin dhe kontrabandën. Bëhet fjalë si për mallrat që hyjnë gjithashtu edhe ato që dalin nga Greqia për në Shqipëri.

Në takimin e së shtunës morën pjesë edhe drejtues të lartë të ministrisë greke të fiancave si dhe përfaqësues të biznesit e drejtues të  lartë të policisë greke.

Ndonëse nuk u përmendën shifra autoritetet greke kërkuan marrjen e masave të menjëherëshme për të shmangur humbjet e mëdha si pasojë e evazionit dhe kontrabandës në këtë pikë doganore.

Në takim u shqyrtuan disa propozime, ndër të cilat ai për ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor. Kjo strukturë  që do të ketë në përbërje të tij prokurorë ngrihet për herë të parë nga autoritette fqinje për kontrollin doganor. Brenda pak ditësh grupi  do të jetë i stacionuar në doganën e Kakavijës, aty ku kontrabanda është shndërruar në dhimbje koke për autoritetet greke siç shkruajnë mediat e vendit fqinj.

Një prej masave që do të merren është edhe urdhëri për pajisjen e pikave doganore me mjete logjistike si kamera apo sensorë, përmes të cilave do të gjurmohen edhe rastet e kondrabandës dhe piketimin e personave që kryejnë shkelje.