Greqia ka vendosur t’i kundërpërgjigjet Turqisë duke nisur procedurat për blerjen e një  skuadroni avionësh  F-35 të gjeneratës së 5-të, të pakapshëm nga radari.

“Protothema” tha se vendimi i Ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kammenos, vjen pas rekomandimeve të komandantëve ushtarakë.

Ndërsa, një zyrtar i lartë ushtarak tha se kjo ishte një kundërpërgjigje ndaj Turqisë, e cila pritet të marrë 100 avionë të tillë F-35 pas vitit 2020.

“Ne duam të blejmë një skuadron që varion nga 12 në 20 avionë F-35,” tha zyrtari i cituar nga “Protothema”. Projekti pritët të përmbyllet brenda shtatë vitesh dhe të kushtojë 1.2 miliardë euro.

Lëvizja e Greqisë synon ruajtjen e balancës në Egje mes dy fqinjëve që herë pas herë përballen me tensione mes tyre.

Gazeta greke po ashtu thotë se Kammenos ka urdhëruar edhe përmirësimin e sistemit rus të raketave S-300. Kreu i forcave ajrore greke ka kërkuar informacion nga Rusia për vlerën e mirëmbajtës dhe përmirësimit të sistemeve S-300./tvklan.al