Një grua është arrestuar për abuzim me fëmijët në SHBA, pasi akuzohet se ka mbyllur në bagazhin e makinës të vegjlit e saj dhe e pashqetësuar ka shkuar për shopping.

Sipas “BBC”, e cila citon mediat amerikane, fëmijët ishin të moshave 2 dhe 5-vjeçare.

 Nëna 39-vjeçare, Tori Castillo tani përballët me akuzat për abuzim me fëmijët, të cilët tashmë janë me të atin.

Disa persona që po kalonin aty pranë kanë vënë re se makina po lëkundej dhe dëgjohej zhurmë që vinte nga brenda makinë, që ishte parkuar jashtë një Walmart-i.

Mediat raportojnë se disa persona në parking i treguan 5-vjeçarit si të hapë bagazhin e makinës nga brenda.

Incidenti ndodhi të enjten në Riverdale, Utah, teksa nuk është ende e qartë se për sa kohë fëmijët kishin qëndruar të mbyllur në bagazh.

Ndaj ngjarjes reagoi edhe oficeri i policisë, Casey Warren , i cili tha se “nuk është asnjëherë mirë t’i lësh fëmijët brenda makinës, lërë më në bagazh.” Ai më tej falënderoi personat që i ndihmuan fëmijët të dalin jashtë.

Sipas ligjit në fuqi në Utah, lënia e pashoqëruar e fëmijëve në makinë dënohet me gjobë ose me burgim. Ligji hyri në fuqi në vitin 2011 pas disa rasteve kur fëmijët kishin vdekur pasi ishin lënë të vetëm në makinë./tvklan.al