Orë të tensionuara në Maqedoni, ndërsa mesnata është afati i fundit për të finalizuar qeverinë e re.

Mediat në Shkup kanë shpallur disa herë arritjen e një marrëveshjeje, por ajo është mohuar nga selitë e VMRO-DPMNE-së së Nikolla Gruevskit dhe BDI-së së Ali Ahmetit, ku po zhvillohen respektivisht mbledhje maratonë të kryesive të partive.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani tha në orën 21:00 se palët janë duke negociuar dhe se ende nuk ka marrëveshje.

Fituesi i zgjedhjeve të dhjetorit, Nikolla Gruevski, ka afat deri në orën 00:00, që Presidentit të shtetit t’i prezantojë përbërjen dhe programin e qeverisë së re.

E gjithë mbrëmja është karakterizuar nga lajme kontradiktore. Mes tyre është raportuar se kreu i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski pranoi platformën shqiptare, ku përfshihej Gjuha Shqipe, si gjuhë zyrtare në Maqedoni dhe përdorimi i saj në çdo nivel të administratës.

Po ashtu 8 ministri, një prej të cilave Ministria e Brendshme, do t’i shkojnë BDI-së, e cila do të marrë gjithashtu për herë të parë edhe postin e kreut të Kuvendit.

Gruevski është filmuar brenda selisë së Kryeministrisë, ndërsa gazetarët raportojnë se ai po kryen telefonata të njëpasnjëshme. 

Tv Klan