Të ardhurat nga taksat ranë me 9% në Qershor

Rihapja e aktivitetit ekonomik pas më shumë se dy muaj bllokimi po jep sinjale për një rikuperim të sipërmarrjeve private dhe të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Sipas të dhënave të treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave, të ardhurat tatimore për muajin Qershor janë rritur me 25% krahasuar me Majin, pas një rënie të konsiderueshme me normën 30% në Prill dhe Maj, gjatë periudhës së mbylljes.

Në total të ardhurat në buxhet për 6 muajt e parë të vitit janë tkurrur me 240 milionë euro krahasuar me një vit më parë, ndërsa Qershori i këtij viti me Qershorin e një viti më parë ka shënuar vetëm 9% rënie.

Tatimi mbi vlerën e shtuar, i cili tregon konsumin e popullatës rezulton në të njëjtat nivele me një vit më parë, por qeveria ka mbajtur në këtë periudhë shpenzime të larta buxhetore, si për paketat e ndihmës ashtu edhe për investime dhe mirëmbajtje.

Në fund të gjysmës së parë të vitit, deficiti në buxhet arriti 310 milion euro, duke mbajtur nivelin më të lartë pas qershorit të vitit 2013.

Tv Klan