Helikopteri1Helikopteri i Policisë që u rrëzua në muajin Gusht në aksionin anti-drogë në Dukagjin ishte jashtë orëve të lejueshme të fluturimit.

Lajmi bëhet i ditur nga specialistë brenda Policisë së Shtetit, të cilët konfirmojnë se ngritja në ajër e helikopterit BO 105, i Policisë së Shtetit, ditën e aksionit kundër lëndëve narkotike është bërë në kundërshtim të plotë me protokollin teknik të pilotimit të mjetit ajror, pasi helikopteri në fjalë i kishte kryer orët e duhura të fluturimit dhe ishte në pritje të dërgimit në servis.

Por pavarësisht kësaj, pilotët janë urdhëruar nga drejtuesit e Policisë së Shtetit të ngrinin mjetin në ajër dhe të nisej për aksionin në fjalë në Dukagjin, ku për fat helikopteri nuk shpërtheu në ajër pasi u godit me shtatë pumba nga trafikantët dhe u rrëzua në një arë pranë fshatit Pult.

Sipas kontratës së blerjes së helikopterit BO 105, është e parashikuar që pas dy vjetësh punë ose pas kryerjes së 500 orëve fluturim, ai duhej dërguar për riparim teknik në Itali.

Dy vitet e punës helikopteri në fjale i kishte kryer që në Shtator të një viti më parë, dhe që prej atëhere, servisi nuk ishte kryer.

Por është përdorur sërish në kundërshtim të plotë me rregullat teknike të përdorimit si dhe duke vënë në rrezik edhe jetët e stafit dhe pasagjerëve.

Deri në aksionin e fundit të tij, në Gusht të këtij viti, kur u rrëzua në arat e një fshatari në Pult të Dukagjinit duke vënë në rrezik edhe jetët e femijëve të familjes Koçeku.

Aktualisht të gjithë helikopterët e policisë janë me defekt ose me orët e fluturimit të skaduar, dhe asgjë nuk është bërë ende për t’u bërë kontrollin dhe servisin e duhur.

Të mos ishte për plumbat që e goditën dhe e detyruan të ulej, helikopteri në fjale do të ishte sërish në fluturim.

Goditja e helikopterit të policisë dhe atij të Ushtrisë, Cougar, gjatë aksionit kundër trafikantëve të drogës në fshatrat e Dukagjinit, në Gusht të këtij vitit, erdhi edhe si pasojë e mos kualifikimit të duhur të drejtuesve të këtyre mjeteve dhe përdorimit të tyre në aksione të tilla të rrezikshme, ku nuk mor aspak parasysh rrezikshmeria e personave të cilët po i prisnin të armatosur dhe të cilët nuk përtuan t’i qëllojnë, duke rrezikuar dhe shpërthimin e tyre në ajër.

Si dhe mungesa e informacioneve paraprake nga shërbimet në terren në lidhje me ekzistencën e grupeve të tilla të rrezikshme dhe të armatosura që mund të bënin rezistencë.

Përdorimi i helikopterit të Ushtrisë Cougar, në këtë aksion është një tjetër thyerje e hapur e ligjit për Forcat e Armatosura dhe përdorimin e tyre.

Pasi vajtja e tyre në një aksion të mirëfilltë policie, është bërë pa asnjë marrëveshje paraprake mes dy ministrive si dhe në mungesë të një vendimi të posaçëm të Këshillit të Ministrave.

Tv Klan