6 nxënëse të shkollës 9-vjeçare “Jashar Hoxha“në Paskuqan janë dërguar gjatë paradites në urgjencën e Pediatrisë me shenja helmimi.

Pas dhënies së ndihmës së parë në këtë shërbim, nxënëset e moshës 10-12 vjeç janë transferuar në shërbimin e toksikologjisë, për mjekim të specializuar.

Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani gjatë seancës plenare ka deklaruar se helmimi është shkaktuar nga pirja e hashashit, por ky version është hedhur poshtë nga Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Në përgjigje të interesit të Televizionit Klan, burime zyrtare të Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, thonë se nxënëset mund të jenë helmuar nga konsumimi i patatinave. Po të njëjtat burime, thonë se pas marrjes së ndihmës së mjekësore ato janë larguar për në banesat e tyre.

Ekspertët e shëndetësisë, në bazë të analizave të marra kanë nisur hetimin epidemiologjik për të gjetur shkakatarët e këtij helmimi në ambientet e shkollës.

Ndërkohë njoftimi i policisë thotë se: 

Më datë 06.10.2016, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë nga Drejtoresha e Shkollës 9-vjeçare “Jashar Hoxha”, në Kamëz, se 4 fëmijë në shkollë kanë pasur probleme shëndetësore.

Menjëherë në shkollë është dërguar grupi hetimor, ku Drejtoresha e kësaj shkolle ka pretenduar se mos ka patur lëndë narkotike një nga nxënësit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 5, kanë kontrolluar të gjithë shkollën, nga ku ka rezultuar se në shkollë nuk është konstatuar asnjë lëndë e dyshuar narkotike. Nga kontrolli i imsishëm dhe aroma e ndierë nga shërbimet dyshohet se aroma ka qënë kimikat (në formë të gaztë) që përdoret për pastrim.

Nxënësit të cilët kanë shfaqur probleme me shëndetin, kanë marrë mjekimin e nevojshëm në Spital. Sipas deklaratave të tyre aroma ka qenë shumë e fortë.

Nga deklarimi i mjekut të Spitalit, figuron se këto shqetësime nuk kanë ardhur si pasojë e aromës së ndonjë lënde narkotike, por nga aroma e ndonjë kimikati të fortë.

Shërbimet e policisë po punojnë për evidentimin e llojit të kimikatit të futur në shkollë.

Tv Klan