Mirush Kabashi u nda nga jeta 4 muaj më parë në moshën 75-vjeçare. Tej trishtimit të madh, për të erdhi edhe një moment nderimi në ditën e tij të lindjes ku ai u nderua me titullin  “Qytetar Nderi” i Durrësit.

Por pas aktorit të madh, ndodhej historia e një babai, bashkëshorti e djali. Në një rrëfim për “Rudina” në Tv Klan, vajza e tij e madhe, Mendi tregon sa i lidhur ishte babai i saj me Durrësin, me familjen, me miqtë dhe historinë e dashurisë me Lolën.

Më herët ai ka rrëfyer në program se ajo ishte studentja e tij dhe Mendi e plotëson historinë edhe me kujtimet e saj.

Mendi Kabashi: Ka qenë studentja, studentja më e bukur e Akademisë së Arteve. Nuk besoj se kishte femër më të bukur në atë kohë.

Rudina Magjistari: Këtë e thonë…

Mendi Kabashi: E thonë të gjithë.

Rudina Magjistari: Jo vetëm Mirushi si i dashuruar.

Mendi Kabashi: Jo, e thonë të gjithë. Mami është shumë e bukur. Babi thoshte që “për nga bukuria vajzat më kanë ngjarë mua, sigurisht, kanë marrë nga unë”. Kanë qenë të dy shumë… unë kam një miks, kur më thonë që ke buzëqeshjen e babit, mollëzat e babit, ndiej shumë krenari. Ashtu them? Me të vërtetë?

Mirushi dhe Lola u dashuruan gjatë kohës që ai ndodhej  në Korçë për turneun. Vajzat gjithashtu kanë lindur në Korçë, ndërsa vetë ai lindi në Shkodër edhe pse me origjinë ishte nga Gjakova. Më pas ata jetuan në Durrës për një kohë të gjatë e më vonë në Tiranë, por pa i shkëputur lidhjet me Durrësin.

Në gjimnaz, Mirushi spikati si aktor, por babai i tij i cili ishte shkolluar në “Harry Fultz” kishte plane të tjera që i biri ‘u kujdes’ t’i përmbyste.

Mendi Kabashi: Në kohën që gjyshi ka dashur ta fusë në rrugën e… gjyshi ka qenë inxhinier elektrik dhe donte që babi të bëhej elektricist, jo aktor, nuk bëhej fjalë për aktor. Ai ndërkohë kishte spikatur dhe e merrte me vete, me atë kapelen e elektricistit dhe ai dueht të bënte këto kanalet, kanalizimet, ku duhej të shkonin kabujt dhe me kast, im atë i bënte më të ngushta dhe tim gjyshi i duhej që t’i bënte nga fillimi dhe tha ”ky nuk është për këtë punë” dhe hoqi dorë. Ka qenë strateg që në atë kohë.

Rudina Magjistari: I ka llogaritur mirë në mënyrë që të plotësonte ëndrrën e tij për t’u bërë aktor.

Mendi Kabashi: E vërteta është që atij vetëm kjo mundësi iu dha se ishte i treti nga vëllezërit dhe i vetmi kusht që të vazhdonte shkollën e lartë se nuk lejohej se kishim njollë në biografi, i vetmi kusht ishte që ai të bëhej aktor sepse ishte spikatur që atëherë me disa shfaqje dhe e donin aktor ose asgjë. Ishte fati, ishte e shkruar./tvklan.al