Arrestimi në Kamëz i 2 kushërinjve me rreth 30 kg hashash, mbrëmjen e 22 tetorit nga seksioni i antidrogës është kthyer në një “telenovelë” të vërtetë mes institucioneve ligj-zbatuese, çka ka sjellë dhe arratisjen e tyre me datën 15 Dhjetor.

Lajmi është mbajtur i fshehtë duke mos u bërë publik ashtu siç ndodh zakonisht me ngjarje të tilla. Sipas të dhënave të siguruara nga policia, prokuroria dhe gjykata, rezulton se Edmond dhe Gentjan Nezaj, përkatësisht 39 dhe 36 vjeç u kapën mbrëmjen e 22 Tetorit tek “Ura e Institutit” në Kamëz, teksa lëviznin me automjetin tip “Mercedes” me targa AA 822 OK në bagazhin e të cilit u gjenden 30.4 kg hashash

Me datën 25 tetor në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë gjyqtari Ilir Çeliku caktoi masën arrest me burg 30 ditorë, duke rrëzuar kërkesën e prokurorisë që kërkoi burg pa afat.

Me datën 24 nëntor në përfundim të masës 30 ditore, prokuroria kërkon që të vendoset masa arrest me burg pa afat duke paraqitur në seancë dhe prova të tjera të cilat faktonin më tej fajësinë e tyre.

Për shkak se gjyqtari Ilir Celiku u emërua gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë, për vlerësim të masës ndaj kushërinjve Nezaj, u caktua gjyqtarja Alma Brati.

Sipas prokurorisë duke shpërfillur provat e paraqitura dhe pa marrë parasysh faktin që bëhej fjalë për një sasi prej 30 kg hashash, faktin që vepra penale ishte kryer në bashkëpunim, të arrestuarit kishin rekorde të mëparshme kriminale, duke shpërfillur marzhin e dënimit nga 7 deri në 15 vjet për këtë vepër penale, si dhe duke qenë në dijeni se organi i prokurorisë po hetonte edhe anëtarët e tjerë të grupit të dyshuar kriminal gjyqtarja Brati vendosi lirimin e menjëhershme dhe caktimin “arrest shtëpie” për Edmond dhe Gentjan Nezaj.

Duke e konsideruar vendimin e gjyqtares për ndryshim mase haptazi në kundërshtim flagrant me ligjin organi i akuzës ka ankimuar në Gjykatën e Apelit.

Me datën 15 dhjetor treshja e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit në mbështetje të ankimit të prokurorit, e konsideron vendimin e Shkallës së Parë, të pabazuar në ligj dhe prova dhe urdhëron rikthimin e tyre në burg. Me të marrë dijeni të arrestuarit Edmond dhe Gentjan Nezaj thyejnë masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe arratisen.

Me datën 18 dhjetor, falë bashkëpunimit të prokurorisë me policinë u bë i mundur arrestimi i shtetasit Edmond Nezaj në Peshkopi të Dibërs, në Macellarë, në tentativë për të kaluar kufirin drejt Maqedonisë.

Për këtë fakt prokuroria ka paraqitur në gjykatë kërkesën për vlerësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” për veprën penale “largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Gjyqtarja Alma Brati kundërshtoi sërish prokurorinë me pretekstin se për të njëjtin procedim ka një masë tjetër sigurimi “arrest me burg”. Pas këmbënguljes dhe argumentimit ligjor me prova dhe fakte të prokurorisë , gjyqtarja u “dorëzua” duke pranuar pretendimet e prokurorit të çështjes.

Aktualisht shtetasi Gentian Nezaj vijon të jetë në kërkim pas arratisjes në momentin e ndryshimit të veprës penale.

Ndaj dy të pandehurve krahas akuzës për veprën penale të ‘’Prodhimit dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim”, rëndon akuza e largimit i të burgosurit nga vendi i qëndrimit, gjithashtu prokuroria ka nisur ndaj tyre hetim pasuror për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale. Pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se ata posedojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që nuk i justifikojnë me të ardhura të ligjshme.

Sipas informacioneve Policia e Shtetit dhe Prokuroria kanë shprehur në mënyrë institucionale shqetësimin për vendimin e gjykatës së shkallës së parë./ tvklan.al

POLICIA KOMUNIKATE