Ndikimi i një mësuesi nuk shtrihet vetëm përgjatë viteve të shkollës, por edhe përtej tyre. Gazetari Osman Stafa i cili ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të ndarë me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan historinë që e bëri të ndiqte këtë profesion, e shpjegon më së miri këtë.

Ai tregoi sesi nga një nxënës i mirë gjatë shkollës fillore, kaloi tek ata që cilësohen “të dobët” në klasë të pestë dhe vetëm një vit më vonë do të pësonte ndryshimin drastik. Mësuesi i ri i shkollës, Genc Gjevori do t’i jepte shtysën që të formësohej si nxënës e që më vonë do të pasqyrohej edhe te njeriu e gazetari që ishte. Ndryshimin Osmani e përshkruan duke kujtuar një episod të dhimbshëm të jetës.

Osman Stafa: Goditja ime më e madhe me atë që quhet pjesën emocionale apo me jetën, ka qenë humbja e tim ati kur kam qenë në klasën e tetë…

Ardit Gjebrea: E paske humbur shumë shpejt.

Osman Stafa: Kam qenë 15 vjeç dhe m’u desh që të mendoja të kujdesesha edhe për vëllain apo motrën që i kisha më të vegjël, edhe për time më dhe tek unë ka rënë gjithmonë përgjegjësia që unë patjetër duhet të shkëlqeja në shkollë, në profesionin sepse duhet të kujdesesha për ta. Gjithmonë e mendoj që nëse nuk do të kisha qenë ky nxënësi i mirë, ndoshta punën e të kujdesurit për familjarët e mi nuk do ta kisha kryer aq mirë, nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur sepse nuk mund ta parashikoj, kjo është me “nëse”, por teksa lexoj të shkuarën dhe atë se çfarë unë kam kaluar, po, e them me siguri që ajo se çfarë ka bërë ky individ që erdhi në fillim të klasës së gjashtë në shkollën tonë, më ndryshoi mua totalisht mënyrën e të konceptuarit, të të reaguarit./tvklan.al