Ky është automjeti i inspektorit të Policisë Zihni Zenelaj, i djegur rreth orës 3:10 minuta të mëngjesit në qytetin e Vlorës.

Pronari i makinës është inspektor i Policisë. Automjeti ishte parkuar pranë banesës së tij në lagjen “Pavarësia”, apo siç njihet ndryshe zona e Skelës.

Flakët që përfshinë automjetin rrezikuan edhe katin e dytë të pallatit pranë vendit të ngjarjes. Një banor i pallatit të cilit iu rrezikua banesa njoftoi menjëherë policinë dhe zjarrfikësit të cilët u nisën drejt vendit të ngjarjes.

Pavarësisht përpjekjes automjeti u dogj tërësisht. Hetuesit konfirmuan se zjarrvënia ishte e qëllimshme, për shkak se para automjetit u gjet një sasi lënde djegëse. Dyshimet e oficerëve të krimeve lidhen me detyrën e Zenelajt si inspektor policie.

Jashtë kamerave pronari i automjetit konfirmoi se nuk ka konflikte. Që prej muajit korrik të këtij viti, numri i automjeteve të djegura në mënyrë të qëllimshme në Vlorë, është së paku pesë. Një tjetër rast i ngjashëm, në të njëjtën zonën ku ndodhi djegia e automjetit të Zenelajt, është ajo e Dhimitraq Nurajt, inspektor i policisë së rendit në Vlorë. Makina e tij e parkuar pranë pallatit ku banonte u dogj  me 10 shtator të këtij viti nga persona ende të paidentifikuar.

Pavarësisht rasteve të njëpasnjëshme të djegieve të automjeteve, policia nuk ka mundur në asnjë rast të identifikojë autorët e dyshuar të këtyre krimeve.

Tv Klan