Një vjedhje e pazakontë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në kryeqytet, ku një 32-vjeçar ka hyrë në një shtëpi ku ka vjedhur dokumente, para dhe çelësin e makinës për t’u larguar më pas në qetësi me automjetin e parkuar në oborr.

Por, pa kaluar shumë kohë përfundoi në pranga.

Policia e Tiranës tha në një njoftim se është arrestuar në flagrancë Amarild Muka, i dënuar më parë për vjedhje.

Ai kishte hyrë në banesën e 36-vjeçarit A. R., të cilit i ka marrë portofolin me dokumente të ndryshëm,  12 000 Lekë dhe 600 Euro, si dhe ka marrë çelësat e automjetit tip Mercedes Benz. Më pas ka marrë automjetin e parkuar në oborrin e banesës duke u larguar me të, por është arrestuar në autostradën Mamurras – Laç.

Si prova materiale u sekuestruan makina tip Mercedes Benz, portofoli me dokumente dhe 200 euro./tvklan.al