Inspektori i Lartë i Drejtësisë përmbylli një inspektim 3-vjeçar të praktikave të lirimeve me kusht në 15 gjykata dhe prokurori në vend.

Inspektimi i nisur në Shkurt 2020, menjëherë pas bërjes publike të disa rasteve të lirimit me kusht të personazheve të njohur të drejtësisë dhe që kishin mbi supe dënime të rënda, çoi në sitë 2514 praktika.

Në një intervistë për Tv Klan, Artur Metani, tha se analiza e bërë tregoi raste të shkeljeve të rënda.

Artur Metani, kreu i ILD: Inspektimi konkludoi se ka pasur shkelje, si në vlerësim të gabuar apo shkelje të kritereve që duhen zbatuar në rastet e kërkesave për lirimit me kusht; ka pasur shkelje, apo mosrespektim të rëndë, apo të përsëritur të legjislacionit procedurial dhe penal dhe ka pasur mosrespektim të vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë.

Metani tregoi gjithashtu rrethet gjyqësore më problematike në trajtimin e këtyre kërkesave.

Artur Metani: Natyrisht edhe nga praktikat që kemi çuar në Këshilla, ka qenë Gjykata e Krujës, Gjykata e Elbasanit, Gjykata e Korçës.

5 magjistratë u referuan për hetim administrativ pas inspektimit, teksa është kërkuar verifikim edhe për 9 të tjerë.

Artur Metani: Inspektimi tematik që përfundoi, i ka lënë detyrë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të kryejë ende disa verifikime për disa gjyqtarë dhe prokurorë, edhe në disa gjykata dhe prokurori të tjera të vendit, për të parë nëse dyshimet që ne kemi përbëjnë realisht shkeljet disiplinore, ose jo.

ILD thotë se inspektimi tematik për këtë çështje, pati edhe fuqi edukuese, për shkak të rënies së numrit të vendimeve në vitin 2020 në 41 në total, nga 800 vendime që ishte mesatarja në vit nga 2017 deri në 2019.

Tv Klan