Me titullin në kasafortë, tek Inter kanë nisur të mendojnë për të ardhmen. Rinovimi me element cilësor është fokusi i parë për drejtuesit. Emri i radhës është ai i Lautaro Martinez. Kapiteni zikaltër dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit gjendet prej kohësh në bisedime për marrëveshjen e re.

Bisedimet fillestare u mbajtën në Madrid para ndeshjes së Champions League kundër Atletikos së Madridit dhe që prej asaj kohe negociatat duket se kishin ngecur.

Kërkesat e kampionit të Botës kalojnë shifrën prej 10 milionë Eurosh që do ta kurorëzonte në fundin e sezonit. Shifër e lartë për momentin, pasi Inter do të ishte e gatshme për t’i ofruar rinovimin për rreth 8 milionë Euro në vit. Martinez ka një marrëveshje me Interin që skadon në verën e vitit 2026 dhe për këtë shkak, zikaltërit nuk nxitohen për të rinovuar me “El Toro”.

Në rast të konkretizimit, 26-vjeçari do të zgjaste qëndrimin në Milano të paktën deri në 2029, teksa nuk do të përfshihej një klauzolë largimi. Fakt që do konfirmonte dëshirën e Lautaros për të qëndruar zikaltër edhe për shumë sezone.

Klan News