Sopranoja rrëfen për koncertin humanitar në ndihmë të të prekurve nga tërmeti

Tërmeti i 26 Nëntorit shkaktoi një tragjedi të madhe në vendin tonë. 51 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën. Nga ana tjetër dëmet në banesa dhe pallate janë të shumta në vendet e prekura nga tërmeti.

Solidarizimi dhe mbështetja ka qenë e madhe nga personazhet e njohur brenda dhe jashtë vendit. Një prej artisteve shqiptare ka qenë edhe sopranoja Inva Mula, e cila vendosi të organizojë një mbrëmje humanitare “Artistët e bashkuar në një zë”, me më shumë se 50 artistë të njohur shqiptarë, në sallën koncertale Kisha Ortodokse në Tiranë më datë 8 Dhjetor. E ftuar në programin “Rudina”, Inva Mula ka rrëfyer më shumë për këtë nismë, e cila do të vazhdojë deri më datë 31 Dhjetor.

Në fakt nuk do doja që ky koncert të ishte për këtë qëllim për arsye se doja të ishte një koncert jubilar, për të festuar një vit të bukur. Mirëpo them që kur artisti arrin të mblidhet për qëllime kaq njerëzore, për qëllime që të dalin nga shpirti mendoj se ne e kemi bërë një detyrë tonën. Për arsye se artisti ka gjënë më të bukur, që me artin e vet të arrijë të kontribuojë pikërisht për këtë publik, që ne i kemi një borxh shumë të madh”.

Të ardhurat e mbledhura nga ky koncert do të dërgohen për të ndihmuar të mbijetuarit e tërmetit të 26 Nëntorit.  

Unë kam ndjerë një emocion të jashtëzakonshëm në këtë natë. Pashë që shpirti i artistit është ai që i jep vlera një kombi. Shpirti i artistit mblidhet dhe thotë, ne jemi këtu në një ditë si kjo dhe çfarë kemi mundësi të kontribuojmë, do e bëjmë me artin tonë”.

Inva Mula tregon se vajza e saj kishte dashur që në fund të koncertit të ngjitej edhe ajo në skenë dhe të interpretonte një poezi. Sopranoja u çudit se më pas, pasi vogëlushja e saj i tha që poezia ishte një krijim i saj i momentit dhe nuk e kishte mësuar asgjëkundi.

Nina ishte me mua gjithë kohën dhe në fund të koncertit më thotë: Mami unë dua të hyj në skenë dhe të interpretoj një poezi. Hyri në skenë dhe interpretoi një poezi rreth jetës, si duhet ta mbrojmë planetin, si duhet të jemi solidarë me njëri-tjetrin dhe të falim njëri-tjetrin për gabimet. Dhe u çudita, si ka mundësi që kishte përgatitur një poezi? Ishin fjalë që rridhnin, pas koncertit e pyeta ku e mësove. Më tha unë nuk e mësova, unë e krijova atje”.

Mbrëmjen humanitare, Inva Mula e prezantoi sëbashku me Pandi Laçon./tvklan.al