Yipsi Moreno, kubanezja ish-kampione olimpike dhe bote në hedhje çekiçi, mori pjesë këtë të shtunë në Kupën e Shqipërisë duke e fituar garën.

Rezultati i saj ishte 63 metra e 94 centimetra, mbi 4 metra nga rekordi kombëtar. Por prania e saj në vendin tonë ka edhe një tjetër qëllim, stërvitjen e atletëve të rinj.  

“Në Shqipëri atletët kanë cilësi që të jenë sportistë të mirë. Unë dua të ndaj përvojën time shumëvjeçare, të ndihmoj të rinjtë dhe sportitstët e tjerë. Mendoj se deri tani kemi brë një punë të mirë”.

Mungesa e trajnerëve të kualifikuar e ka penalizuar Shqipërinë në përfaqësimin e saj në arenën ndërkombëtare.

“Yipsi dhe trajneri i saj Abdel janë pjesë ekipit kombëtar.  Për disa disiplina nuk kemi patur përfaqësueses në aktivitetet ndërkombëtare edhe për këtë shkak. Në këto aktivitete na mungonte hedhja e çekiçit, diksut apo shtizës”, thotë Taulant Stërmasi.

Garat e tjera të Kupës së Shqipërisë po mbahen në Elbasan, ku në pistë do të jetë edhe kampionia e Europës në 3000 metra me pengesa, Luiza Gega.

Tv Klan