Kriza e virusit, buxhet shtesë për të paguar mjekët e dalë në pension

Italia po ndërmerr një sërë masash të tjera të ashpra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vend. Qeveria e kryeministrit Conte ka akordouar një fond prej 600 milionë eurosh dhe ka shtuar stafin mjekësor me gati 20 mijë mjekë mes të cilëve studentë të sapodiplomuar dhe ish-mjekë të dalë në pension, për të përballuar fluksin e personave të infektuar me virus.

Një ditë më parë, numri i atyre që humbën jetën u rrit me 50 duke e çuar numrin e përgjithshëm në 197, ndërsa të të infektuarve në 3917. Sipas autoriteteve italiane deri më tani janë shëruar 462 njerëz. Rajoni i Lombardisë mbetet më problematiku me 135 viktima.

Britania ka shënuar viktimën e dytë nga koronavirusi. Personi është një i moshuar në të 80-at që vuante edhe nga sëmundje të tjera kronike. Edhe në Greqi, bilanci i të infektuarve ka arritur në 46. Shumica prej të prekurve janë pelegrinë të kthyer nga Izraeli.

Ndërkohë, 164 persona janë konfirmuar deri tani të infektuar me koronavirus në Mbretërinë e Bashkuar dhe 18 persona janë rikuperuar. Qeveria  britanike deklaroi më herët se do të shpenzojë 46 milionë Paund për të zhvilluar vaksinën.

Koronavirusi po shqetëson edhe Francën. Në 48 orët e fundit, rastet e infektimit nga koronavirusi i ri janë rritur në 48  duke e çuar numrin total në 422. Autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e njëqind shkollave dhe kanë ndaluar grumbullimet me mbi 500 njerëz.

Në Florida u regjistruan dy viktima duke e rritur numrin e vdekjeve në SHBA në 17, kurse numri i të infektuarve ka shkuar në 282. Merilendi, Kalifornia, Florida, Uashingtoni, Nju Jorku dhe Havai kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. 21 persona janë identifikuar të infektuar, 19 anëtarë të ekuipazhit dhe dy pasagjerë, në anijen e bllokuar në gjirin e San Francisko-s, Grand Princess me 3500 persona në bord.

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një projektligj emergjent që parashikon më shumë se 8 miliardë dollarë fonde për t’u përballur me krizën e koronavirusit. Në Kinë, në 24 orët e fundit kanë vdekur 28 persona duke e rritur në 3491 numrin e përgjithshëm të viktimave kurse numri i të shëruarve është rritur në 57 mijë.

Në rang global, numri i të testuarve pozitiv ka shkuar në mbi 102.000. Vatra tjetër e kuqe e epidemisë mbetet edhe Koreja e Jugut numri i të infektuarve ka arritur në 6767 kurse viktimat në 42.

Klan Plus