Disa u vranë me thikë, disa me armë zjarri e disa u mbytën. Por të gjitha gratë që u vranë në Itali vitin e shkuar kanë një të përbashkët: ato e njihnin vrasësin e tyre.

Më shumë se 100 femra u vranë në 2023-n në vendin fqinj për shkak të femicideve. Termi “femicid”, që përdoret kur një grua vritet nga partneri aktual ose ish-partneri, ishte kaq i përdorur sa një enciklopedi italiane e shpalli fjalën e vitit për 2023-n.

Italia mund të ketë një kryeministre femër, por ajo gjithnjë ve në dukje që nuk identifikohet si feministe, shkruan CNN, që sjell në vëmendje se ky shtet i kriminalizoi krimet e pasionit vetëm në vitin 1981 dhe sistemi gjyqësor ende jep dënime më të lehta për burrat që vrasin bashkëshortet, nëse zbulojnë tradhtinë e tyre.

25 Nëntor 2021, emrat e viktimave të femicideve shfaqen me projektor në Koloseumin në Romë, në nder të grave që u vranë nga burrat
25 Nëntor 2021, emrat e viktimave të femicideve shfaqen me projektor në Koloseumin në Romë

Një prej rasteve më famëkeqe është ai i vitit 2020. 80-vjeçari Antonio Gozzini e goditi pas koke me okllai bashkëshorten e tij 62-vjeçare Cristina Maioli dhe më pas i preu fytin dhe e masakroi nga këmbët. Pavarësisht krimit makabër, Gozzini është i lirë sot, pasi gjykata tha se ai kishte pësuar një “raptus”, një xhelozi delirante, për shkak të punës së bashkëshortes së tij në një shkollë të zonës.  

Prevalimi i dhunës në familje në Itali ushqehet nga dështimet e shoqërisë, thotë Lorella Zanardo, aktiviste, edukuese dhe regjisore dokumentarësh.

Dokumentari i Zanardo i vitit 2009, “Il Corpo delle Donne”, “Trupi i femrave”, rreth seksizmit në publikun italian dhe televizionet private, u bë shkak për një debat të gjerë kombëtar, për lidhjen mes seksizmit, sulmeve seksuale dhe barazisë gjinore.

Teksa Italia nuk ka përqindjen më të lartë në Europë të dhunës në familjes, është në mesin e vendeve me renditjen më të ulët në Europë sa i takon barazisë gjinore. Në 2023-n Italia ra nga renditja në raport me vitet e mëparshme bazuar në faktorë si rritja e diferencës së pagës, që e bën më të vështirë për gratë që të ndahen, sepse nuk janë në gjendje të mbajnë veten financiarisht.

Italia ka qenë një vend patriarkal për shumë, shumë vite, por është gjithashtu një vend i vështirë për t’u kuptuar sepse gjatë viteve 70-të, një prej lëvizjeve më të rëndësishme dhe të suksesshme të grave ishte italiane”, thotë Zanardo për CNN. “E kam pyetur shpesh veten çfarë ndodhi pas kësaj lëvizjeje. Është e vështirë për t’u shpjeguar, por kjo lëvizje ishte shumë politike dhe kishte një konotacion shumë të qartë politik”.

Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë

Një pjesë e problemit me pasjen e një lëvizje feministe me lidhje të ngushta me politikën është se përçahet. Në Itali, lëvizja feministe drejtohet përgjithësisht nga e majta, që do të thotë se ata që mbështesin partitë e djathta, përfshirë kryeministren Giorgia Meloni, e kanë distancuar veten nga feminizmi.

“Kemi një grua kryeministre, por ajo është tërësisht kundër feminizmit”, shprehet Zanardo, duke shtuar se Meloni madje ka zgjedhur që titullin e kryeministres në italisht ta mbajë në gjininë mashkullore, në vend se të përqafojë faktin se Italia ka një prej të paktave lidere femra në botë.

“Ajo pretendon që të thërritet “Il”, kryeministri dhe mendoj se një grua si ajo mund të jetë një aktiviste edhe në gjuhë, duke i treguar gjeneratave të reja se liderët mund të jenë gra”, thekson Zanardo.

Lëvizjet feministe kanë qenë gjerësisht të suksesshme nëpër botë duke përmirësuar barazinë mes gjinive. Këshilli i Europës thotë se “në përgjithësi, feminizmi mund të shihet si një lëvizje që kërkon t’i japë fund seksizmit, shfrytëzimit seksist dhe shtypjes e për të arritur barazi të plotë gjinore në ligj dhe në praktikë”.

Dhe janë pikërisht lëvizjet feministe që po bëjnë më shumë se kushdo tjetër për të ndihmuar viktimat e abuzimit në Itali. CADMI është një qendër strehuese për gratë e abuzuara në Milano që ka shpëtuar 600 gra nga situatat abuzive, vetëm gjatë vitit të shkuar.

Protestat në Itali pas vrasjes së Giulia Cecchettin
Protestat në Itali pas vrasjes së Giulia Cecchettin

Vrasja e 22-vjeçares Giulia Cecchettin, në Nëntor të vitit që lamë pas rindezi debatin mbi dhunën ndaj fermave. Trupi i saj u zbulua i masakruar me thikë në një luginë në veri të vendit. Ajo u vra nga ish-i dashuri Filippo Turetta, i cili u arratis drejt Gjermanisë ku rrëfeu krimin. Miqtë e 22-vjeçares i thanë hetuesve se ajo kishte qenë e shqetësuar, sepse Turetta po e përndiqte.

Vrasësi është në pritje të një procesi të shkurtër gjyqësor që do të marrë në konsideratë edhe pranimin e krimit. Ai rrezikon burgim të përjetshëm, por me gjasë mund të përfitojë një dënim më të butë, për shkak të rrëfimit të tij, bazuar në raste të ngjashme në të shkuarën.

Pas vrasjes së Giulia-s pati protesta masive nëpër gjithë Italinë. Më shumë se 8 mijë persona, përfshirë presidentin italian, morën pjesë në varrimin e saj.

Por një javë pasi ajo u varros, 4 gra të tjera u vranë, të gjitha nga ish-bashkëshortë apo të dashur.

*Artikulli u publikua nga CNN, përktheu & përshtati në shqip tvklan.al