Pas sulmit të paprecedentë të fundjavës së kaluar të Iranit ndaj Izraelit, dy vendeve po shkëmbejnë kërcënime të ndërsjellta.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Izraelite Herxi Halevi shprehu bindjen se Irani do të përballet me pasoja për atë sulm. Qeveria izraelite është duke diskutuar mënyra nga më të ndryshmet për kundërpërgjigjen, ku përfshihet jo vetëm opsioni ushtarak, por edhe një sulm kibernetik. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu shprehu bindjen në fitore, duke thënë se me fitoren ndaj Iranit do të arrihet fitorja edhe në Gaza, pasi prapa Hamasit fshihet Teherani.

Megjithatë, Tel Avivi është nën presionin e Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve për të mos e përshkallëzuar konfliktin në një luftë të madhe rajonale me pasoja katastrofike. Ndërsa, presidenti iranian Ebrahim Raisi kërcënoi Izraelin se kundërpërgjigja ndaj një sulmi të mundshëm izraelit në territorin e tij do të jetë e dhimbshme dhe e paprecedentë.

Izraeli garantoi vendet e Lindjes së Mesme se nuk do të pësojnë asnjë dëmtim nga kundërpërgjigjja ndaj Iranit. Ndërkaq, duket se qeveria e Netanjahut i ka shtyrë për një afat të pacaktuar planet për sulmin përfundimtar kundër Hamasit në Rafah, teksa lufta rrezikon gjithë rajonin.

Tv Klan