Sinoptikania: Deri të enjten çadrën mbajeni me vete. Temperaturat ulen me 5 gradë

Kjo javë ka nisur me reshje shiu, dhe kështu pritet të vijojë deri ditën e enjte.

Situata e motit do të jetë e paqëndrueshme të paktën deri në mesjavë, pra ditën e enjte do të kemi prezencë të reshjeve. Nuk do të kemi reshje nga mëngjesi deri në mbrëmje, por herë do të jenë në mesditë e herë në mbrëmje dhe herë gjatë natës. Do të kemi edhe intervale me kthjellime. Përmirësimi i motit do të jetë të premten dhe në fundjavë dhe do të jetë mjaft i dukshëm. Deri të enjten, çadra me vete sepse do të ketë herë pas here rrebeshe, do të jetë një situatë e paqëndrueshme.”

Edhe pse pranverë gjatë kësaj jave sipas parashikimeve të meteoalb do të përjetojmë ditë dimri, pasi në zonat malore priten edhe reshje dëbore. Temperaturat e ajrit do pësojnë ulje sidomos ditën e martë e cila do jetë dita më e ftohtë e javës.

Situata termike paraqitet disi problematike përgjatë kësaj jave sepse do të kemi luhatje nga dita në ditë, pra nga sot dhe nesër presim një rënie të ndjeshme nga 4-5 gradë. Parashikohet që maksimalet të jenë rreth vlerës, 14 apo 15 gradë dhe dita e martë do të ndihet si një ditë dimri, si një ditë Shkurti, e ftohtë me reshje të pakëta, por do të ketë edhe reshje dëborë. Dita e mërkurë edhe pse do të jetë me reshje do të sjellë 5 apo 6 gradë rritje. Luhatja do të jetë drastike nga dita në ditë.”

Sipas sinoptikanëve kushtet e motit do të stabilizohen ditën e premte, duke bërë që edhe fundjava të jetë me mot të qëndrueshëm dhe e ngrohtë.

Klan News