Një Kombëtare e shpërndarë në fushë dhe një ekip që nuk funksionoi si grup. Ky është mendimi i trajnerit Mirel Josa për humbjen e kuqezinjve përballë Kosovës. Tekniku që drejton Prishtinën thotë se repartet nuk bashkëpunuan me njëri-tjetrin.

“Lojtarët janë marrë më tepër se çfarë do të jepnin individualisht, ishin të shpërndarë dhe i lanë hapësira lojtarëve të Kosovës.”

Loja natyrisht u ndikua edhe nga mungesat e shumta. Mirel Josa tregon ndryshimin me përfaqësuesen e mëparshme të drejtuar nga Gianni De Biasi.

“Skuadra ka qenë bashkuar dhe ndihmonte njëri-tjetrin, ka qenë një skuadër shumë e ngjeshur që kundërsulmonte mirë.”

Miqësoret e zhvilluara pas kualifikueseve i kanë shërbyer Christian Panuccit për të sjellë lojtarë të rinj në ekip. Për Josën ndryshimet duhet të jenë graduale, duke marrë më të mirën nga futbollistët me përvojë.

“Pavarësisht moshës që kanë duhet parë gjendja aktuale dhe rinovimi duhet të vijë gradualisht.”

Shqipëria po bën testet e fundit para nisjes së Ligës së Kombeve në Shtator të këtij viti.

Tv Klan