Një pamje e shpeshtë në rrugët tona është prania e bagëtive dhe mjeteve që tërhiqen nga kafshët.

Aksi nacional Shkodër-Velipojë përshkohet çdo ditë nga dhjetëra karroca edhe pse në këtë rrugë ndalohet kalimi i tyre.

16-vjeçari, Medi Herdolli, punon prej pesë vitesh si karrocier dhe pavarësisht frikës nga aksidentet ai nuk ka menduar të heqë dorë nga puna e përditshme.

Gazetari: A ke frikë me punu me kalë dhe me karrocë?

“Shumë kam frikë”.

Gazetari: Pse?

“Kam frikë se ka automjete shumë e gjëra pa rregull, ecin shpejtësia…”.

“Kjo është rruga edhe për Kratovë, edhe për rrugë të plazhit, edhe për…”.

Gazetari: Keni frikë nga automjetet se mund të ndodhin aksidente?

“Frikë kemi, po s’kemi nga të shkojmë tjetër se s’kemi rrugë tjetër”.

Të tjerë fermerë e shohin kalimin e kafshëve në rrugën nacionale si mundësinë e vetme për të kryer punët e bujqësisë.

Policia rrugore nga ana e saj është mjaftuar me 30 gjoba për karrocierët, ndërkohë që prania e kafshëve në rrugë është kthyer në mollë sherri mes saj dhe pushtetit lokal.

Dritan Bonaj: “Janë shtuar aksidentet që ndodhin në rrugë, kryesisht këto të provokuara nga kafshë. Problematike ngelet gjithmonë pjesa e rrugës nga harku i Bërdicës ose kthesa e Velipojës që quhet deri në Velipojë. Krahas kësaj rruge funksionon një rrugë dytësore, e cila ka funksionuar gjithmonë, por për shkak të problemeve që kanë pushteti vendor me problemet e pronësisë kjo rrugë vende-vende është e bllokuar”.

Ndërkohë mungesa e një sinjalistike rrugore ka bërë që aksi rrugor prej 35 kilometrash Shkodër-Velipojë të shënojë pothuajse tre aksidente në ditë./tvklan.al

Gazetari: Simon Shkreli